Escobar: Marrëveshjet Kosovë-Serbi duhet të zbatohen, nuk ndikon nënshkrimi ose jo
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një detyrim ligjor, dhe se nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve, nuk ndikon në detyrimin për zbatimin e tyre.
Këto deklarata, ai i ka bërë për “Zërin e Amerikës”, pasi kryeministri Kurti deklaroi që është gati ta nënshkruajë draft statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa Vuçiq ka thënë se nuk do të pranojë asgjë që ka të bëjë me njohjen de-facto të Kosovës.
Escobar, sipas mediumit, ka thënë se “këto deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi marrëveshjet janë ligjërisht të obligueshme dhe se të dy e kanë pranuar”.
“Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova Asociacionit dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera gjëra si këto.” – shkruhet tutje.