Escobar ia përmend Kosovës Asociacionin, ndërsa Serbisë njohjen e sovranitetit të Kosovës - NACIONALE

Escobar ia përmend Kosovës Asociacionin, ndërsa Serbisë njohjen e sovranitetit të Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabiel Escobar, është duke dhënë një përditësim të fundit për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veçanti para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Escobar u zotua plotësisht se Kosova dhe Serbia do të angazhohen në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai e përshkroi atë si një mundësi të jashtëzakonshme për të dy vendet për të vendosur marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme, duke çuar në një integrim më të madh evropian.

Ai tha se Marrëveshja obligon Serbinë të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, njohjen e simboleve kombëtare, dokumenteve qeveritare, diplomave, pasaportave, targave, kartave të identitetit si dhe mos pengimin e integrimit të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Më tej, Escobar theksoi se Kosova ka obligime ligjore ekzistuese për të themeluar Asociacion e komunave me shumicë serbe.

"Marrëveshja e fundit, veçanërisht marrëveshja e Ohrit, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet për të krijuar një marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve dhe për të hapur derën për një integrim më të madh evropian. Marrëveshja kërkon që Serbia të njohë sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës, të njohë simbolet e saj kombëtare, dokumentet qeveritare, diplomat, pasaportat, targat, kartat e identitetit dhe të përmbahet nga bllokimi i integrimit të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare", - u përgjigj Escobar.

“Nga pala kosovare, ajo kërkon që Kosova të zbatojë obligimin e saj ligjor ekzistues për të formuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë se të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë për këtë pa parakushte. Të dy vendet duhet të fillojnë procesin për të bërë pjesën e tyre, jo pa marrë parasysh ndonjë plan renditjeje që nuk përfshihet në proces. Pra, ne angazhohemi t’i bëjmë të dyja palët të njohin detyrimet e tyre ligjore ekzistuese në mënyrë që të ecin sa më shpejt që të munden dhe shpresojmë se do të jemi në gjendje të bëjmë përparim të rëndësishëm këtë vit”,- tha ai.

Lajme të ngjashme