Erdogani: Veprimet e Netanyahut në Gaza s’dallojnë nga ato të Hitlerit
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se veprimet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Gaza “nuk dallojnë” nga ato të ish-udhëheqësit nazist të Gjermanisë, Adolf Hitler.
Kjo nuk është hera e parë që Erdogani e krahason Izraelin me Gjermaninë naziste. Në korrik të vitit 2014, presidenti turk e kishte akuzuar Izraelin se “po e mbante gjallë shpirtin e Hitlerit” gjatë një lufte me Gazën, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Erdogani i ka ashpërsuar kritikat ndaj Izraelit gjatë luftës që po zhvillohet aktualisht në Gaza, ndërsa ka vlerësuar se Hamasi nuk është organizatë terroriste.
Izraeli i tërhoqi diplomatët e vet nga Turqia në tetor, pasi Erdogani e akuzoi këtë shtet për kryerje të krimeve të luftës. Turqia më vonë e tërhoqi ambasadorin e saj nga Izraeli.