Erdogan akuzon Perëndimin për ‘provokim’ ndaj Rusisë
Në një konferencë të mbajtur bashkë me homologun serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është shprehur se politika e Perëndimit ndaj Rusisë është e bazuar në provokime.
“Mund të them qartë se nuk e shoh të drejtë qëndrimin e Perëndimit kundër Rusisë”, duke shtuar se Perëndimi kishte një “politikë të bazuar në provokim”.
Erdogan poashtu tha se nuk mendon që lufta në Ukrainë do të përfundojë së shpejti, dhe kërkoi nga vendet që të mos e “nënvlerësojnë Rusinë”.
Komentet e presidentit turk erdhën gjatë një vizite të realizuar në Serbi, si pjesë e turneut të tij ballkanik.
Kujtojmë se deri më sot, Ankaraja është përpjekur të paraqitet si një palë neutrale në luftën Rusi-Ukrainë. Ajo ka pritur në bisedime zyrtarë nga Moska dhe Kievi si dhe ka ndërmjetësuar në një marrëveshje gruri së bashku me OKB-në për të garantuar eksporte të sigurta ushqimore nga portet e bllokuara të Ukrainës.
Megjithatë, që nga pushtimi rus i Ukrainës, Turqia ka vazhduar të mbajë lidhje të forta me Rusinë. Ankaraja ka rritur tregtinë e saj me vendin, me bankat turke që kanë miratuar një sistem pagesash rus.
Poashtu thuhet se këtë vit Turqia ka dyfishuar importet e naftës ruse.
