Elon Musk e rikthen Donald Trumpin në Twitter
Ish-presidenti i Amerikës, Donald Trump është kthyer përsëri në rrjetin social Twitter.
Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk, siç raporton BBC, ka thënë se llogaria e Donald Trump është rikthyer pas një sondazhi ku përdoruesit mbështetin rikthimin e tij.
“Njerëzit kanë folur”, shkroi Musk në Twitter, duke thënë se 51.8% e më shumë se 15 milionë përdoruesve të Tëitter votuan për heqjen e ndalimit.
Llogaria e Trump u pezullua në vitin 2021 për shkak të rrezikut të nxitjes së dhunës.
Menaxhmenti i mëparshëm i Twitter veproi vetëm disa ditë pasi mbështetësit e Donald Trump sulmuan Kapitolin e SHBA në Uashington DC më 6 janar.
Menjëherë pas trazirave, llogaritë e Donald Trump në Facebook, Instagram dhe YouTube, të cilat kishin të gjitha dhjetëra miliona ndjekës, u pezulluan.
Trump ka bërë të ditur se do të kandidojë përsëri për zgjedhjet në Amerikë, teksa nuk dihet nëse do të kthehet në Twitter.
