“Elektrosever” shkel marrëveshjen, nuk i dërgon të dhënat në KOSTT
Kompania “Elektrosever” përgjegjëse për furnizim me rrymë në komunat veriore, po e shkel marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.
Edhe tri javë pas marrëveshjes, “Elektroseveri” nuk i ka ofruar të dhënat KEDS-it dhe KOSTT-it.
“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë si dhe nuk janë nënshkruar marrëveshjet me KOSTT sipas pikës 3. Për më shumë në lidhje me pyetjet tuaja, ju lutem drejtohuni ZRRE-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, si organe kompetente për mbikëqyrjen e procesit për respektimin e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energji të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, kanë deklaruar nga KOSTT për Gazetën Express.
Elektroseverit i është lëshuar licenca më 24 qershor. Sipas licencës, kjo kompani obligohej që brenda shtatë ditëve t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit për konsumatorët.
“Elektrosever” obligohej poashtu që brenda dhjetë ditëve nga data e lëshimit të licencës të nënshkruaj me KOSTT-in dhe KEDS-in marrëveshjet e domosdoshme teknike për të operuar në tregun e energjisë në Kosovë.