Ekzekutohet kinezi që ia kishte vënë flakën ish-bashkëshortes kur ajo ishte “live” në internet
Një burrë kinez është ekzekutuar për vrasjen e ish-bashkëshortes duke ia vënë flakën kur ajo ishte në transmetim të drejtpërdrejtë në internet.
Gruaja e njohur si Lamu ishte personalitet i njohur në rrjetin social “Douyin”, version kinez i “TikTok”-ut.
Ky rast e vë në pah dhunën kundër grave në Kinë. Sipas një ankete, çereku i të gjitha grave në Kinë kanë vuajtur nga abuzimi në familje.
Nëna e dy fëmijëve raportohet se kishte kontaktuar me policinë për dhunën e burrit të saj, kur ata ishin ende të martuar, por autoritetet i kishin thënë se kjo ishte çështje familjare.
Në qershor të vitit 2020, Lamu ishte ndarë nga bashkëshorti për të cilin gjykata kishte thënë se kishte histori dhune kundër bashkëshortes.
Rreth tre muaj më vonë, ai i kishte hedhur benzinë ish-bashkëshortes në shtëpinë e babait të saj dhe ia kishte vënë flakën. Ajo kishte pësuar djegie në 90 për qind të trupit dhe kishte vdekur pas dy javësh.