Edhe presidentja Osmani udhëton zyrtarisht për në Francë
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të udhëtojë zyrtarisht në Francë ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris.
Në këtë Forum do të marrin pjesë liderë të tjerë botërorë e udhëheqës të organizatave ndërkombëtare. Për në Paris ka udhëtuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka paralajmëruar se në Paris mund të ketë edhe takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
"Përgjatë këtij forumi, ku Presidentja Osmani është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, z.Prindon Sadriu, ajo do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Macron dhe Zonja e Parë e Francës për liderët botërorë, e poashtu do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin në kohë kritike për kontinentin tonë bashkë me presidenten e Hungarisë, Katlin Novák, si dhe Jean-Marie Guéhenno. Krahas aktiviteteve të forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë."
"Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.", thuhet në njoftimin e Presidencës.
