Edhe Britania kritikon rrënimet te Ujmani: Jemi të shqetësuar, procedurat gjyqësore ende nuk kanë përfunduar
Pas Zyrës së BE-së dhe Ambasadës së Gjermanisë, ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë në Prishtinë, lidhur me rrënimet te Ujmani, e shtëpive nga autoritetet e Kosovës, duke thënë se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe të paanshme në të gjithë Kosovën.
“Respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, ku personat e prekur të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat e tyre. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga raportimet se veprimet për zbatimin e vendimeve janë ndërmarrë ndërkohë që procedurat gjyqësore ende janë në vazhdim”, thuhet në reagimin e Ambasadës Britanike.
“U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen me komunitetet e prekura, t’i trajtojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund ta minojnë besimin e publikut ose besimin ndërmjet komuniteteve”, thuhet në reagim.