Edhe Bardhyl Hasanpapaj pjesë e listës së Vjosa Osmanit në LDK
Vjosa Osmani ka njoftuar se Bardhyl Hasanpapaj i është bashkuar listës së saj në LDK për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se me Hasanpapajn po shkojnë nga garat si studentë, në një garë për Kosovën.
“Nga garat si studentë, në një garë të përbashkët e vendimtare për Kosovën!
Me Dr.sc. Bardhyl Hasanpapajn, rrugëtimi ynë nuk filloi në politikë. Filloi në vitin 2001, si dy studentë të rinj që bartnim ëndrra të mëdha dhe përfaqësonim Universitetin e Prishtinës në garat më prestigjioze ndërkombëtare të drejtësisë.
Bardhi, përveçse njihet si një zë i arsyeshëm i diskursit publik, ka specializuar në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit në Gjermani, ndërsa doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin e Firenzes në Itali. Si ekspert i sundimit të ligjit, dijen profesionale e ka shndërruar edhe në ndërmarrësi, duke udhëhequr projekte të rëndësishme për organizata ndërkombëtare si BE, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD.
Por përkundër të gjitha arritjeve, Bardhyli ka mbetur njeri i thjeshtë. Një mik i mirë. Një profesionist që nuk u largua kurrë nga dëshira për t’i dhënë Kosovës më shumë. E mbi të gjitha, një malsor që kurrë nuk e shkelë besën e dhënë.
Jam e lumtur që edhe sot kemi pranë njerëz si Bardhyl Hasanpapaj, që me dije, integritet dhe përkushtim i japin forcë vizionit tonë për të ardhmen.
Na priftë e mbara, Bardhyl!”, ka shkruar ajo.