E grisi Kuranin, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin në Prizren
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit I.P., për grisjen e librit të shenjtë të fesë islame- Kuranit, më 3 mars në Prizren.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj Gjykate.
I pandehuri dyshohet se me veprimet e tij, ka nxitur urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.
“Nga provat e siguruara nga Policia me autorizim të PSRK-së e të bashkangjitura kërkesës për caktim të masës së paraburgimit e të cilat prova gjenden në shkresa të kësaj lënde, gjykata vlerëson dhe konstaton se në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore ngase ekziston dyshimi i bazuar se me datën 03.03.2025, rreth orës 12:10, në Prizren, në afërsi të teges Halveti, ka nxitur he përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve fetare”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
I.P., thuhet se kishte grisur librin e shenjtë, teksa copëzat e grisura në rrugë i kishin vërejtur qytetarët.
“I njëjti e kishte marrë librin e shenjtë të myslimanëve, Kur’anin të cilin e kishte grisur, ashtu që pasi qytetarët i kanë vërejtur copëzat e grisura në rrugë, rastin e kanë paraqitur në polici dhe me këtë rast është shkaktuar mllef i madh te komuniteti islam dhe është cenuar bashkëjetesa mes grupeve me ideologji të ndryshme fetare me çka edhe mund të prishej rendi dhe qetësia publike”, thuhet tutje në vendim.