E goditur nga sanksionet, Rusia kërkon nga India mbi 500 lloje produktesh
Rusia i ka dërguar Indisë një listë me më shumë se 500 produkte për furnizim të mundshëm, përfshirë pjesë të veturave, aeroplanëve e trenave, thanë katër burime të afërta me këtë çështje, kur sanksionet po ia dëmtojnë Rusisë aftësinë për ta mbajtur funksionimin e industrive jetike.
Lista, një version të së cilës e ka parë agjencia“Reuters” në New Delhi, është e përkohshme dhe nuk është e qartë se sa prej këtyre produkteve do të eksportohen në Rusi dhe me çfarë sasie, por një zyrtar i qeverisë indiane tha se kërkesa e Rusisë është e pazakontë sa i përket fushëveprimit të saj.
India është e interesuar që ta shtojë tregtinë në këtë mënyrë, tha burimi, kur fuqia aziatike po mundohet ta zvogëlojë deficitin tregtar me Rusinë. Sidoqoftë, disa kompani kanë shprehur shqetësim se tregtia me Moskën mund t’i bëjë pjesë të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.
Një burim i industrisë në Moskë, i cili refuzoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se Ministria e Industrisë dhe e Tregtisë e Rusisë ka kërkuar nga kompanitë e mëdha që t’i dorëzojnë listat me lëndët e para dhe pajisjet për të cilat kanë nevojë.
Dy burime në Indi thanë se kërkesat e Rusisë janë paraqitur disa javë para vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, në Moskë më 7 nëntor. Nuk është menjëherë e qartë se çfarë i ka thënë zyrtari indian Rusisë gjatë vizitës në Moskë.