“E çuditshme”: Gashi flet për ftesën e Haxhiut nga Prokuroria për rastin Dehari, e përmend Thaçin e Veselin
Tomë Gashi, avokat i familjes së Astrit Deharit, ish-aktivisit i VV-së që ndërroi jetë në burg, ka komentuar ftesën që i është bërë Albulena Haxhiut, ministre e Drejtësisë, nga na e Prokurorisë Speciale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gashi vlerësoi është e çuditshme se pse deri më tani nuk ka ndodhur që për postime në Facebooktë kërkohet intervistim i ministres së Drejtësisë.
“Prokurori i shtetit, prokurori i Prokurorisë Speciale z.Afrim Shefkiu i cili është prokuror në hetimin e vrasjes së Astrit Deharit paska autorizuar zyrtarë të policisë që ta intervistojnë në dëshmi të dëshmitares Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe sipas prokurorit ajo duhet të deklarohet si dëshmitare lidhur më publikimin e saj në Facebook i cili është bërë me 5 nëntor 2023 në vitin e 7 të vrasjes së Astrit, në përvjetorin e 7. Është e çuditshme që deri më tani nuk ka ndodhur që për postime në Facebook prokurori të kërkojë intervistime të ministres së Drejtësisë.” – tha ai.
Tutje, Gashi ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
“… ne kemi pasur raste të mëhershme ku edhe ish presidenti z.Thaqi ka deklaruar publikisht në televizione që Astrit Dehari është vrarë dhe nga ana e prokurorit nuk është kërkuar një gjë e tillë, pastaj kemi pasur edhe deklarime publike te Kadri Veselit i cili ka deklaruar se Astriti është vrarë dhe prokurori i rastit nuk ka kërkuar intervistimin e tyre mendoj që ky intervistim për të cilin ministria Haxhiu ka deklaruar se do të jep deklaratë sepse është obligative lidhur me këtë autorizim, por duket që prokurori në vend që të hetojë pista të vërteta për të dhëna të vërteta është duke e komplikuar qëllimisht dhe po e politizon rastin pa pike nevoje.” – citohet të ketë thënë Gashi.
