Dy të vrarë e gjashtë të zhdukur nga një sulm rus me dron në Odesa të Ukrainës
Dy persona u vranë, tetë u plagosën dhe gjashtë të tjerë janë ende të zhdukur, pasi një dron rus u përplas të shtunën në një bllok banesor në qytetin jugor bregdetar të Ukrainës, Odesa, thanë autoritetet.
“Rusia vazhdon që t’i luftojë civilët... Njëri nga dronët e armikut goditi një ndërtesë banimi në Odesa. 18 banesa u shkatërruan” – tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një shkrim në rrjetin “Telegram”.
Në një video të publikuar nga Zelensky shihen një ndërtesë banimi me një pjesë të saj të shkatërruar dhe dhjetëra punëtorë shpëtimi që po kërkonin nëpër rrënoja, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas presidentit ukrainas, droni që e goditi ndërtesën ishte i llojit “Shahed”, dron i madh kamikaz që Rusisë i është ofruar nga Irani. Rusia ka kryer mijëra sulme të tilla me dronë në caqe thellë brenda territorit të Ukrainës.
Guvernatori rajonal i Odesës, Oleh Kiper, tha në orën 8 e 30 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale se po vazhdonte puna për pastrimin e rrënojave dhe se një burrë ishte nxjerrë i gjallë, me gjasë duke qenë në bodrumin e ndërtesës në kohën e sulmit.
Transmetuesi publik ukrainas, “Suspilne”, citoi prokurorë lokalë të kenë thënë se gjashtë persona ishin ende të zhdukur.