Dugolli i VV-së pretendon se po keqinterpretohen deklaratat e Stoltenberg: Policia s’kërkon leje nga askush
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka thënë se opozita po tenton të keqinterpretojë deklaratat e shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me aksionet e Policisë së Kosovës në veri.
Në “RTV Dukagjini”, ai ka deklaruar se fjala “koordinim” nuk duhet të shtrembërohet me atë që “gjoja”, Policia duhet të marrë leje nga KFOR-i.
“Jemi të vetdijshëm se ai letërshkëmbim…Po, koordinimi, fjala koordinim nuk bën të shtrembërohet apo të interpretohet diçka që ai nuk e ka thënë, koordinim është koordinim, por nuk është pengesë, si me thënë qysh po dojnë ta interpretojnë, gjoja ka thënë se duhet të merret leje. I vetmi institucion ligjzbatues në të gjithë territorin është Policia e Kosovës e cila ka mandate, obligime ligjore në të gjithë territorin e Kosovës.” – deklaroi ai.
Tutje, sipas Dugollit, Stoltenberg nuk tha që policia duhet të marrë leje, pasi sipas tij, ky institucion nuk kërkon leje nga askush.
“Ai nuk e ka thënë, as që mund ta thotë një gjë të tillë, sepse leje Policia nuk kërkon nga askush…Në këtë drejtim, as që ka thënë, dhe unë as që pres dikush ta thotë këtë fjalë, sepse kjo i bie një situatë krejtësisht tjetër, që nuk duam as ta mendojmë.” – u shpreh ai.
Në fund, ai u shpreh si vijon:
“Mandati i KFOR-it është diçka tjetër, e kanë zbatu mandatin e vet, janë reaguesi i tretë, Policia është përgjegjëse kryesore, ka obligime ligjore që të asistojë jo vetëm kryetarët, po të gjitha organizatat, civilët. Tjetër është që patëm disa situata të paparashikuara që e shfaqën brutalitetin e bandave kriminale që lënduan një numër të pjesëtarëve të KFOR-it, nuk jemi ndi mirë, por kjo ka ardhë si rezultat i asaj që grupet kriminale donin ta merrnin situatën në dorë. Po të mos ishte Policia e Kosovës, e më pas edhe KFOR-i, do të bëhej një situate e rëndë e cila nuk do të kalonte pa pasoja në njerëz.”