Drejtori serb që u suspendua dje: Nga sot nuk do të jem pjesë e Policisë, dua fytyrë të ndritur
Lista Serbe ka organizuar një konferencë për media, në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë për targat ilegale, si dhe me vendimin e Inspektoriatit Policor, për suspendimin e Drejtorit të Policisë, në Rajonin e Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.
Në këtë konferencë ka folur vet Drejtori tashmë i suspenduar Nenad Gjuriq, i cili tha se nuk do të jetë më pjesë e Policisë së Kosovës, duke paralajmëruar kështu se edhe po të kthehej në punë, nga organet përgjegjëse, nuk do të pranonte.
“Nga sot nuk do të jem pjesë e Policisë së Kosovës, sepse dua ballë të ndritur dhe fytyrë të ndritur” ka thënë Gjuriq.
Kujtojmë se Gjuriq u suspendua dje, pasi nuk pranoi të përfillë vendimin e Qeverisë për qortimin e shoferëve, të cilët qarkullojnë me targa ilegale në Kosovë.
Si erdhi deri te pezullimi i Gjuriq
Pas kërkesës nga Inspektorati Policor i Kosovës, Gjuriqi është pezulluar nga pozita e Drejtorit të Policisë në Veri.
“Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së. Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Kryeministri Kurti e dënoi, IPK-ja e rekomandoi shkarkimin e komandantit
Për këtë çështje ka folur nga Berlini edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se veprimet e komandantit Gjuriq janë në shpërputhje me ligjet e Kosovës.
“Është një gjë, kur dështon zbatimi dhe një gjë tjetër, kur dikush bën thirrje të mos zbatohet vendimi, por u përket organeve të sigurisë, policisë, që të merren me këtë thirrje, e cila qartazi është në shpërputhje me rendin e ligjin në Kosovë”- tha Kurti.