Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë: Rritja ekonomike aktuale – e barabartë me atë të vitit 2019
Sipas drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arianit Zeka, Kosova nuk është duke shënuar përparim ekonomik.
Gjatë një interviste në Rubikon të Klan Kosovës, Zeka theksoi se Kosova aktualisht ka normën e rritjes ekonomike që e kishte para periudhës pandemike.
“Jemi në njëfarë pozicioni kur po e mashtrojmë vetveten, në rend të parë po u referohem deklaratave të cilat vetë qeveria i bën sa i përket zhvillimit ekonomik, ka një nivel të lartë të vetëkënaqësisë, realisht rezultatet e dëshmojnë të kundërtën, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme…pra nëse analizohet sa ka qenë norma e inflacionit përgjatë viteve pothuajse të gjitha barazohen, domethënë flasim për rritje të qarkullimit në një normë të përafërt me normën e inflacionit përgjatë këtyre katër viteve të fundit, viti 2020, 2021, 2022 dhe 2023 dhe gjashtë muajt e parë të vitit 2024 që dëshmon se Kosova aktualisht e ka normën e rritjes ekonomike që e ka pasur në vitin 2019, para shpërthimit të pandemisë, para shpërthimit të luftës në Ukrainë”, tha Zeka.