Dorëzimi i listave të partive në KQZ, Elezi: Afati përmbyllet më 13 gusht
Derisa partitë politike po përgatiten për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, KQZ-ja ka treguar afatet për dorëzimin e listave partiake në këtë institucion.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetar të komunave dhe kandidatëve për asamble komunale është 13 gushti.
Sipas tij, deri në këtë datë do të merren edhe vendime tjera.
“Afati i fundit për aplikim online në KQZ për certifikimin e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale është data 13 gusht. Brenda këtij afati, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale”, ka thënë Elezi.