Doktori që e mjekoi Enver Zymberin: Disa herë e ka lëshu zemra, kemi bërë më shumë sesa që na është leju
Mjeku Nuredin Fazliu ka folur për policin e ndjerë Enver Zymberi, i cili u vra 11 vjet më parë. Fazliu, i cili atë kohë ishte anesteziologu i vetëm në Spitalin e Mitrovicës, ka rrëfyer ngjarjen kur e pranoi si rast urgjent.
Fazliu në T7 ka thënë se Enver Zymberi ishte dërguar në spital në gjendje të rëndë dhe pa shenja jete.
“Çdo përvjetor i atij rasti, neve të gjithëve që kemi qenë pjesëmarrës së atë reanimacion, prapë na kthen atë dhimbjen prej fillimit qysh ka qenë, me rastin e pranimit të tij, ku është pranu si rast urgjent derisa u reanimua. Shumë gjatë kemi punuar në të, rreth 3 orë ose 3 orë e gjysmë, atëherë kam qenë në detyrë si i vetmi anesteziolog. E kanë pru në gjendje të rëndë, pa shenja jete, janë bërë të gjitha, intubimi, se i intubuar ka ardhë dhe kemi fillu me reanimacionin intensiv, qysh e ka lypë puna. Ka ardhë pa shenja jete, pa tension pa puls, mandej kemi bo çmos, kemi fillu reanimacion dhe është bo çka u dashtë me bo. Me një plagë hyrëse në pjesën e majtë, në ashtin e mollëzës së majtë dhe ka qenë një prej rasteve të rënda. Jemi munduar shumë, por shansat kanë qenë minimale”, ka thënë doktor Fazliu.
Ai ka treguar se mjekët kishin pasur shpresë se Zymberi do të mbijetonte, por plumbi që e kishte goditur në fytyrë, kishte vazhduar në drejtim të unazave të qafës.
“Ka qenë një send që na shtynte ma shumë me u angazhu, se ai djalë ka qenë pjesëtar e Policisë se Kosovës, pjesëtar i njësisë ROSU, edhe pjesëtar i UÇK-së. Kishim një shpresë që do të mbijetonte, edhe pse ka qenë një plumb në fytyrë, te ashti i mollëzës. Kolegët kanë konstatuar që plumbi ka vazhduar në drejtim të unazave qafore, i ka rrokë 2shin e 3shin”, deklaroi ai.
Fazliu tutje ka rrëfyer se për transferimin e Zymberit nga Spitali i Mitrovicës në QKUK, ishte kërkuar edhe ndihma e KFOR-it, të cilët e kishin përcjellë më pas me helikopter.
“Ne e kemi reanimuar aty, disa herë e ka lëshu zemra, kemi bërë më shumë sesa që na është leju, por nuk ka pasë gjasa. Mas tri orë e gjysmë, masi kemi reanimu në të, kemi kërkuar ndihmën e KFOR-it ka ardhë KFOR-i me helikopter dhe janë marrë vesh me QKUK-në dhe e kemi përcjellë deri në helikopter. Më pas është rasti është nisë për Prishtinë. Të gjithë kanë pasë interesim, rend, prej kryeministrit, prej të gjithëve. Unë i tham veç aferim u koftë. Ky djalë u shpallë masnej hero për me bo shtetësinë në vepër”, ka thënë ai.