Dogana ndalon mbi 23 mijë artikuj në tri lokale në Prishtinë
Dogana e Kosovës ka ndaluar gjithsej 23 mijë e 918 artikuj gjatë kontrolleve të realizuara në tri lokale në Prishtinë.
Sipas Doganës, kontrollet janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve operative ndaj subjekteve tregtare, ndërsa në mesin e mallrave të ndaluara janë gjetur pajisje dhe aksesorë të ndryshëm elektronikë.
Mallrat e ndaluara përfshijnë 16 mijë e 394 mbrojtëse për telefona mobilë, kufje të modeleve AirPods dhe AirPods Max, kabllo USB-C dhe Lightning, adapterë e pajisje për mbushje, orë inteligjente, pajisje AirTag, lapsa elektronikë, tastiera dhe aksesorë të tjerë elektronikë, si dhe bateri për telefona mobilë.
Dogana ka bërë të ditur se në disa prej mallrave janë evidentuar shenja të markave të njohura tregtare, përfshirë Apple, Louis Vuitton, Prada, Gucci dhe Guess.
Nga kontrollet, në lokalin e parë janë ndaluar 22 mijë e 391 artikuj, në të dytin 477 artikuj, ndërsa në lokalin e tretë 1 mijë e 50 artikuj.
Dy nga subjektet e kontrolluara janë referuar për trajtim të mëtejmë në Sektorin për Kundërvajtje Doganore.
Ndërkaq, për subjektin e tretë, për shkak të sasisë dhe vlerës së lartë të mallrave të ndaluara, është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë. Sipas Doganës, rasti do të trajtohet në përputhje me udhëzimet e Prokurorisë.