Dobësohet uragani “Milton”, bie në kategorinë e parë
Uragani “Milton” është dobësuar më tutje, duke rënë në kategorinë e parë, sipas vlerësimit më të ri të Qendrës Kombëtare të Uraganeve në ShBA.
Sipas kësaj qendre, uragani ndodhet 105 kilometra në jugperëndim të Kepit Canaveral të Floridës, duke sjellë erë me shpejtësi maksimale prej 150 kilometrash në orë, raporton agjencia “Reuters”.
Analistët thanë të mërkurën se uragani “Milton” mund të rezultojë në humbje deri në 100 miliardë dollarë për industrinë globale të sigurimeve, duke shkaktuar rritje të çmimeve të sigurimit vitin e ardhshëm.
Sipas analistëve, uragani që më parë ishte në kategorinë e katërt mund t’u shkaktojë humbje nga 60 miliardë deri në 100 miliardë dollarë, nëse stuhia do të arrinte drejtpërdrejt në territor tokësor në Tampa, ku popullsia është e dendur.
Ata shtuan se humbja prej 100 miliardë dollarësh do ta vendoste “Milton”-in në grup me uraganin “Katrina” të vitit 2005, duke shtuar se humbjet e siguruara me gjasë do të ishin “domethënëse, por jo katastrofale”.