Djali i Hysni Gucatit reagon pasi babai i tij do t'i nënshtrohet operacionit: 28 herë t'u hap plaga, do të të presim si çlirimtar
Musli Gucati, djali ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka reaguar pasi që prindi i tij do t'i nënshtrohet një operacioni.
Gucati kishte probleme të theksuara shëndetësore edhe para arrestimit, ndërkohë që gjatë qëndrimit në paraburgim i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, Musliu ka thënë se (sic) pas plot 27 herëve që kjo plagë të dha krenari sa herë që të dha dhimbje, sot po kjo plagë po hapet për të 28-n herë.
“E në peshoren time kjo e sotmja po peshon më shumë dhimbje se të gjitha të tjerat së bashku. Po hapet një plagë e lirisë nder pranga e mbrapa qelisë. E gjykata e turpit që po i fashon plagët tua është e njëjta që nuk e lejoi as gruan e as fëmijët tu që jemi rritur me këto plage të jemi sot pranë teje”, ka shkruar ai.
Musliu tutje ka thënë se ne e dimë që ti do jesh i fortë, pasi që sipas tij i tillë ke qenë gjithmonë.
“Le të hapet edhe një herë ajo plagë ty nuk do të të vrasi sepse ne të presim të vish ashtu si shkove Çlirimtar”, ka përfunduar Musliu.
