Dialogu: Escobar dhe Lajçak vizitojnë Kosovën
I dërguari u SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot do të qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Lajçak nga BE dhe Escobar nga administrata amerikane përveç krerëve institucionalë do të takojnë edhe opozitën.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka pranuar se do të ketë një darkë me përfaqësuesin e BE-së për dialogun.
Po, do të ketë një darkë. Por, do të ketë edhe takime tjera,” - i tha shkurtimisht Nacionales zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së këtij subjekti politik, znj. Sibel Halimi.
“Mirëpresim angazhimin e BE-së dhe përfshirjen e ShBA-ve në dialog,” – shtoi më tej ajo.
Po ashtu, sipas burimeve të Nacionale brenda AAK-së, thuhet se edhe kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj do të takohet me ta.
Një vizitë e tillë e kësaj dysheje në Kosovë - e cila nuk është e para - po shihet edhe si rritje e rolit të ShBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi, diçka që ishte kërkuar shpesh nga liderët politikë të vendit tonë.
Lajçak dhe Escobar kishin qenë edhe në Bruksel, gjatë rundeve të takimit Kurti-Vuçiq të ndërmjetësuar madje edhe nga vetë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Darka e dyshes me opozitën mësohet se do të mbahet në rezidencën e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier.
Kurti dhe Vuçiq më 18 gusht zhvilluan takimin e tretë formal (pa numëruar takimet joformale). Deri më tash, kryeministri i vendit nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me diskutimet e bëra megjithëse ka premtuar se do të flas të mërkurën.

