Dhuna ndaj Sanduloviqit, Kamberi: U sulmua vetëm pse ka kërkuar falje për vrasjen e familjes Jashari
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka dënuar dhunën e ushtruar në Serbia ndaj politikanit Nikola Sanduloviq.
Ai ka bërë me dije se Sanduloviqi është sulmuar vetëm pse ka kërkuar falje për vrasjen e familjes Jashari, gjatë vizitës së tij në Prekaz.
“Policia politike serbe (BIA) rrah brutalisht Nikola Sanduloviq, kryetarin e Partisë Republikane në Serbi. Arsye e rrahjes brutale të Nikola Sanduloviq nga BIA, është fakti që ai ka kërkuar falje në emër të serbëve për vrasjen e familjes Jashari, gjatë vizitës së tij në Prekaz. Siç e përmend avokati i tij Çedomir Stojkoviq, një oponent politik i presidentit të Serbisë, ‘Sanduloviqit i është rrezikuar edhe jeta’”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se me këto veprime Serbia po kalon edhe kufijtë e autokracisë.
“Ky është edhe një rast që dëshmon se të pranosh realitetin e ekzistimi të Kosovës shtet, të pranosh fajin për vrasjet dhe krimet kundër njerëzimit që Serbia i ka kryer në Kosovë, të sulmosh vlerat antievropiane që po i propagon Beogradi zyrtar, do të sulmohesh në mënyrën më brutale nga vetë institucionet e shtetit. Serbia që moti nuk është demokraci, ajo, tani, po kalon edhe kufijtë e autokracisë, ajo po shndrrohet në shtet policor, sepse policia po merr përsipër të eliminojë kundërshtarët politik të regjimit dhe të idesë së ‘Botës serbe’.”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo është mënyra e vetme e komunikimit të Vuçiqit me kundërshtarët politik.
“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të vetmen mënyrë komunikimi me kundërshtarët politik e ka agresivitetin. Ndërsa, ideologjia mbizotruese e regjimit në Serbi akoma mbetet albanofobia, është për tu habitur fakti që opozita, ajo që e quan veten “proevropiane” nuk ka asnjë reagim lidhur me rrahjen brutale të një opozitari. Regjimi dhe opozita në Serbi e kanë një gjë të përbashkët: Albanofobia është e karakteristikë e dyve”, ka shkruar Kamberi.