Dhjetë të vrarë nga sulmi rus ndaj ekspozitës së dronëve afër Kievit
Të paktën 15 njerëz janë vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, përfshirë dhjetë nga sulmet me raketa balistike ndaj një ekspozite afër Kievit ku ishte shfaqur teknologjia e dronëve.
Duke shkruar në rrjete sociale, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rreth 100 njerëz ishin lënduar nga sulmi që u krye ditën ndaj ekspozitës, ku po merrnin pjesë figura të njohura të sektorit të mbrojtjes, raporton televizioni BBC.
Pesë njerëz u vranë nga bombat rrëshqitëse ruse në qytetin lindor ukrainas, Sloviansk.
Ndërkohë, një sulm ukrainas i kryer natën la gjashtë të vrarë e 26 të plagosur në qytetin rus, Kirov, më shumë se 1.000 kilometra larg vijës së frontit. Ukraina gjithashtu sulmoi depo të kompanisë më të madhe ruse për shitje në internet, “Ëildberries”.
Pas sulmeve afër Kievit, fillimisht kishte shqetësim për sigurinë e këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Serhiy Beskrestnov, dhe Lyuba Shypovych, e cila është përfshië në zhvillimin e teknologjisë për ushtrinë ukrainase.
Pas incidentit, të dy konfirmuan në rrjete sociale se ishin mirë dhe Beskrestnovi tha se kishte qëndruar larg ekspozitës për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Zëdhënësi i forcës ajrore ukrainase, Yuri Ihnat, i tha televizionit ukrainas se sulmi përfshiu tri raketa balistike, njëra prej të cilave u pengua.