Detaje rreth arrestimit të 3 zyrtarëve në MPB: Përfituan duke lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje pas arrestimit të tre zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët tashmë janë ndaluar për 48 orë.
Në një njoftim nga Prokuroria, thuhet se zyrtarët e arrestuar dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
F.Sh dhe G.J dyshohet se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
“Nga personat e ndaluar, dy (2) janë në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Njëri prej tyre zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri është zyrtar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare, të dyshuarit me inicialet F.Sh., dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Falsfikimi i dokumenteve’’, nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, nga hetimet e deritanishme rezulton se të dyshuarit F. Sh., dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë dyshohen, se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërkaq, i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’iu mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.