Dështon sërish gjykimi për vrasjen e Agonis Tetaj, i dyshuari e kërkon avokat vetëm Besnik Berishën - NACIONALE

Dështon sërish gjykimi për vrasjen e Agonis Tetaj, i dyshuari e kërkon avokat vetëm Besnik Berishën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka dështuar të mbahet sërish gjykimi për vrasjen e të riut Agonis Tetaj nga Deçani.

Kjo pasi i dyshuari për vrasje, Shaban Gogaj, nuk po pranon asnjë avokat tjetër përveç Besnik Berishës.

E ky i fundit ishte përjashtuar nga rasti për shkak të sjelljeve që Gjykata e vlerësoi se janë joetike, duke e dënuar edhe disa herë me para.

Që nga ajo kohë, asnjë seancë gjyqësore nuk është mbajtur në Gjykatën e Pejës.

Në seancën e së mërkurës, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, konstatoi se mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Asdren Mekaj, i caktuar sipas detyrës zyrtare, me parashtresën e paraqitur sot në gjykatë në orën 8, e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësja konstatoi se avokati Mekaj me parashtresë ka thënë se i ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet për mbrojtje dhe përfaqësim, mirëpo përkundër përgatitjes për një gjykim dhe brenda afatit të arsyeshëm, ka hasur në një pengesë absolute që ia pamundëson pjesëmarrjen në gjykim për mbrojtjen e Shaban Gogajt.

Sipas tij, kjo lidhet me mungesën e bashkëpunimit të klientit të tij, që të jetë mbrojtës i tij.

Mekaj kishte theksuar në parashtresë se i njëjti me rastin e vizitës së klientit Gogaj në spital, i akuzuari ia ka sqaruar se nuk dëshiron avokat tjetër përveç Besnik Berishës. Andaj, për këto arsye është i shtyrë të tërhiqet nga mbrojtja, sepse nuk mund të veprojë kundër vullnetit të tij .

Gjykatësja tha se kishte kontaktuar me avokatin Mekaj dhe i njëjti i kishte premtuar që do të vijë në seancë pavarësisht faktit nëse Gogaj dëshiron ta përfaqësojë.

Lajme të ngjashme