Dëshmia prekëse e babait të Jonadës: Na u afrua skafi dhe e preu vajzën në të gjithë trupin
Vdekja e 7-vjeçares në Himarë, e vrarë nga një polic që po drejtonte skafin e tij në plazhin e Potamit, është rasti më i rëndë i ndodhur kohëve të fundit në Shqipëri.
Familja Avdia atë ditë kaloi disa minuta terrori. Ata humbën vajzën e tyre 7-vjeçare, Jonada. Policia e Vlorës, e cila tashmë ka akuzuar punonjësin e policisë, Arjan Tase, për vrasje indirekte me dashje, ka dhënë informacion për ngjarjen tragjike për Gazetasi.al.
Babai i Jonadës, tregoi se për pak çaste pa që një grua me dy fëmijë hipën në skaf dhe se drejtuesi i skafit kaloi pa asnjë problem litarin me piketa dhe ishte duke lundruar në drejtim të tyre. Aty ku ai gjendej me të bijën në momentet e fundit të jetës së saj.
“Erdhi në drejtimin tonë dhe hyri me shpejtësi skëterrë dhe na ndau mua dhe vajzën. Unë u zhyta poshtë nën ujë dhe mjeti lundrues goditi vajzën time me pjesën e motorit, duke e prerë në të gjithë trupin. Pashë që mjeti u largua, por pastaj skafisti u kthye, duke ndaluar skafin dhe duke ardhur në breg”, tregoi ai.
Sipas burimeve të kësaj gazete, Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë konstatuar se fëmija ka pësuar lëndime të shumta në trup, duke përfshirë kokën, shpatullën, barkun, gjoksin dhe brinjët, si dhe gjymtyrët e poshtme.
Në rrëfimin e kushëririt të Jonadës në Polici tregohet se 7-vjeçarja u godit me helika të skafit teksa e ndjera po lahej në det.
“Po laheshim në det dhe një mjet lundrues i madh u afrua. Në kohën që mjeti mori njerëz në breg, goditi fëmijën me helika. Unë dhe të gjithë njerëzit që ishin në breg bërtisnim: ‘Ndalo se e vrave’. Por mjeti lundrues vazhdoi të ecë pa dhënë asnjë ndihmë. Hyra dhe e nxora Jonadën e pajetë. Ishte pa asnjë shenjë jete”, ka thënë ai.
