Deputetja Musliu takon kryesuesin e Komisionit për Inteligjencë në Kongresin e SHBA-ve, Mike Turner
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu, ka takuar kryesuesin e Komisionit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-ve, Mike Turner, me të cilin ka biseduar për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave në mes të dy komisioneve.
Në këtë takim, Musliu e ka informuar kongresistin Turner lidhur me sfidat e sigurisë, me të cilat po ballafaqohet Kosova së fundmi.
“Po ashtu, Musliu potencoi bashkëpunimin e shkëlqyer që AKI ka me institucionet relevante në SHBA dhe përkrahjen e deritashme që i është ofruar qoftë AKI-së drejtëpërdrejt, qoftë institucioneve tjera të sigurisë në Kosovë. Nga aspekti i legjislacionit, kongresisti Turner u njoftua për procesin e plotësim-ndryshimit të ligjit për veprimtarinë e AKI-së, me të cilin parashihet përmirësimi dhe ngritja e kapaciteve teknike dhe njerëzore të këtij institucioni”, është thënë në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës.
Deputetja Musliu ka mirëpritur sugjerimet nga ky komisioni në fjalë në lidhje me plotësim- ndryshimin e ligjit për veprimtarinë e AKI-së.
“Kongresisti Turner ka qenë për vizitë në Kosovë në gusht të vitit 2023 (anëtar i komisionit aktual është nga viti 2015, kurse kryesues nga janari i viti 2023), dhe është i njohur me zhvillimet, ndërsa ishte i hapur për bashkëpunim duke ofruar çdo lloj asistence (shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim teknik), në mënyrë që Komisioni për Mbikëqyrje të AKI-së të përfitojë nga praktikat më të mira amerikane. Nga aspekti operacional, kongresisti Turner ndau edhe informatën se komisionet e ndryshme parlametare (NATO, BE, Mbretëri të Bashkuar etj.), kanë praktika të ndryshme dhe se duhet parë poashtu se në mos janë më të përshtatshme për rrethanat aktuale në Kosovë”, është thënë në njoftimin e Kuvendit.
Deputetja Musliu po qëndron për një vizitë disa ditore në SHBA bashkë me disa deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës.