Deputeti i LDK-së: Albulena Haxhiu është figurë përçarëse, s’ka treguar asnjë element të përbashkimit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj ka deklaruar se nuk e votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, pasi sipas tij, është figurë përçarëse.
Këto deklarata ai citohet t’i ketë bërë në një intervistë për “Blic”, ku mes tjerash ka thënë se VV nuk po arrin të krijojë shumicën.
“Është një figurë përçarëse, që s’ka treguar asnjë element të përbashkimit. Kryetari i Kuvendit është figurë përbashkuese. Disa po e bëjnë kryetarin e Kuvendit si një figurë që vetëm udhëheq mbledhjet por jo, ne vlerësojmë që ai është një figurë shumë e rëndësishme. Më herët janë votuar kryetarët e Kuvendit sepse ka pasur marrëveshje politike, ka pasur shumicë, ndërsa sot nuk ka. Ne jemi në këtë gjendje pasi LVV nuk po arrin që të ketë shumicë dhe po tregohet e paaftë dhe rigjide për të krijuar shumicën” – ka thënë ai.
Theksojmë se Haxhiu edhe në votimin e së premtes nuk kaloi duke marrë vetëm 57 vota.
Kështu, seanca konstituive pritet të vazhdojë të dielën.