Deputetët gjermanë e refuzojnë furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë, “Taurus”
Ligjvënësit gjermanë e mbështetën ofrimin e përkrahjes së mëtejme ushtarake për Ukrainën të enjten, gati dy vjet pas fillimit të pushtimit rus, por refuzuan një thirrje nga opozita që Kievi të furnizohet me raketa me rreze të gjatë, “Taurus”.
Gjermania është dhuruesja e dytë më e madhe e ndihmave ushtarake për Ukrainën gjatë luftës së këtij vendi me Rusinë, por kancelari Olaf Scholz i ka rezistuar presionit të brendshëm e të jashtëm për të dhuruar raketa “Taurus”, nga frika për eskalim ndërkombëtar të konfliktit, raporton agjencia “Reuters”.
“Rusia e Putinit është dhe do të mbetet kërcënimi më i madh i sigurisë ndaj Evropës për të ardhmen e parashikueshme” – tha në dhomën e ulët të Kuvendit ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, duke shtuar se vendi i tij do t’i kundërvihet kësaj “me tërë fuqinë tonë”.
Me mocionin e paraqitur nga koalicioni i Scholzit, që përbëhet gjithashtu nga Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, ofrohet zotim për furnizimin me “sisteme armësh dhe municion me rreze të gjatë shtesë”, por nuk ka përmendje të saktësuar të raketave “Taurus”.
Duke e shtuar presionin ndaj kancelarit, opozita konservatore paraqiti një mocion me të cilin bëhej haptas thirrje për dhurimin e këtyre raketave me vetëdrejtim, që do të mund t’ia jepnin Ukrainës aftësinë për të shkaktuar dëm të konsiderueshëm më thellë brenda territorit të pushtuar nga Rusia.