Deputetët e Sri-Lankës përgatiten që ta votojnë presidentin e ri
Kryetari i partisë kryesore opozitare të Sri-Lankës e tërhoqi të martën kandidaturën e tij për presidenti, duke ia ofruar përkrahjen një kandidati tjetër, kur deputetët po përgatiten që ta zgjedhin pasardhësin e presidentit të rrëzuar, që u largua nga vendi javën e kaluar.
Sajith Premadasa, kryetar i partisë kryesore opozitare, tha se do ta përkrahë ish-ministrin, Dullas Alahapperuma, i cili u nominua të martën nga një grup i ndarë i koalicionit qeverisës.
“Për të mirën më të madhe të vendit tim që e dua dhe popullit që e çmoj, unë e tërheq kandidaturën time për pozitën e presidentit. Aleanca jonë dhe partnerët tanë opozitarë do të punojnë shumë për ta bërë Dullas-in fitimtar”, shkroi Premadasa në Twitter.
Presidenti i rrëzuar, Rajapaksa, u largua nga vendi, pasi protestuesit e zemëruar nga kriza ekonomike u futën me dhunë në rezidencën e tij dhe morën nën kontroll disa ndërtesa publike. Më vonë, ai e dorëzoi dorëheqjen përmes një shkrese elektronike dërguar kryetarit të kuvendit.