Delegacioni i Hamasit largohet nga Kajroja, bisedimet për armëpushim vazhdojnë javën e ardhshme - NACIONALE

Delegacioni i Hamasit largohet nga Kajroja, bisedimet për armëpushim vazhdojnë javën e ardhshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një delegacion i Hamasit u largua nga Kajroja i Egjiptit të enjten, por do t’i vazhdojë bisedimet për armëpushim derisa të arrihet një marrëveshje me Izraelin, tha ky grup në një deklaratë. Një zyrtar i Hamasit e fajësoi Izraelin për mungesën e përparimit në bisedime.

Një burim egjiptian i tha televizionit “Al-Qahera” se bisedimet për armëpushim në Gaza kanë hasur në një ngërç për shkak të kërkesës së Hamasit për një proces me faza që do të kulmonte me përfundimin e luftës, por shtoi se bisedimet do të rinisin javën e ardhshme, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Delegacioni i Hamasit u largua nga Kajroja këtë mëngjes për konsultim me udhëheqësinë e lëvizjes, ndërsa bisedimet dhe përpjekjet po vazhdojnë për ta ndalur agresionin, për kthimin e të zhvendosurve dhe sjelljen e lehtësimit për popullin tonë” – thuhet në deklaratën e Hamasit.

Sidoqoftë, zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, tha se Izraeli ka qenë duke i “penguar” përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim të përkohshëm të ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti gjatë katër ditëve të bisedimeve të organizuara në Kajro.

Abu Zuhri i tha agjencisë “Reuters” se Izraeli po e refuzonte kërkesën e Hamasit për t’i dhënë fund ofensivës së tij në enklavë, për t’i tërhequr forcat dhe për ta siguruar lirinë e hyrjes së ndihmave e kthimin e personave të zhvendosur.

Zyrtarë egjiptianë më herët kishin thënë se pavarësisht nga ngërçi, ata nuk e përjashtonin mundësinë që një marrëveshje të arrihet para fillimit të Ramazanit.

Lajme të ngjashme