Deklarohen të pafajshëm katër mjekët e akuzuar për “Trajtim të pandërgjegjshëm” ndaj 36 vjeçares e cila vdiq në QKUK - NACIONALE

Deklarohen të pafajshëm katër mjekët e akuzuar për “Trajtim të pandërgjegjshëm” ndaj 36 vjeçares e cila vdiq në QKUK

1 javë më parë

nga NACIONALE

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale “Trajtm i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit Zejnullahu, Demolli, Muja dhe Sheholli, e dhanë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas deklarimeve të tilla, gjykatësi i rastit Avni Syla, i njoftoi të akuzuarit lidhur me të drejtën e tyre për të paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori Zeqaj, ekziston dyshimi i bazuar që të pandehurit në cilësinë e mjekëve më 20 janar 2016 në Prishtinë, në QKUK, duke qenë të vetëdijshëm që me veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja pacienten, kanë përdorur haptazi metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe në atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore së të dëmtuarës, tani të ndjerës S.F nga Prishtina.

Tutje sipas aktakuzës, e pandehura e parë Vjosa Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë për të vendosur nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht me urgjencë apo terapi intensive, ajo ka dëgjuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe kanë vazhduar me dhënien e gjakut gabimisht.

Gjithnjë sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori, e njëjta duke anashkaluar konsultimin me tranfuziologun, kur ajo e ka dërguar pacienten në qendrën urgjente nuk ka dërguar edhe qesen me gjak, për të parë cili gjak i është dhënë të dëmtuarës duke ditur faktin që ka grupe të ndryshme të gjakut, por e shkatërroi si provë kryesore në këtë rast.

Tutje, thuhet se i pandehuri i dytë Selman Demolli dhe e pandehura e tretë Myzeine Muja nuk kanë vepruar sipas protokollit standard për trajtimin e pacientit sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuziologun, pasi që të dëmtuarës i është keqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut, në atë mënyrë të gjithë ata nuk kanë marrë veprime për trajtimin e pacientes me anti-reaksion, pastaj dhanë konkluzione të gabuara duke vendosur që në vend që të thërrasin për konsultë transfuziologun, e kanë thirrë neurologun-të pandehurin e katërt Bashkim Shehollin./ Betimi.

Lajme të ngjashme