"Po i sjell në gisht analfabetët funksional dhe kopjuesit e tij politik", Mustafa komenton deklaratën e Kurtit për 'zhdukje të opozitës'
Në një postim të fundit në Facebook, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vënë në kontrast deklaratën e 11 viteve më parë me deklaratën e sotme të kryeministrit aktual Albin Kurti për opozitën. Mustafa ka sqaruar kuptimin e deklaratës së tij të asaj kohe, "Prishtinën e fitoj me duar në xhepa", duke theksuar se nuk duhet të interpretohet si një argument për të paralajmëruar Kurtin, sepse kishte deklaruar se "Jam i interesuar që ta mund në zgjedhje opozitën por jo që ta zhduk".
Në postimin e tij, Mustafa ka përmendur ndërtimin e shkollave, terreneve sportive, qendrave mjekësore, gjelbërimin e qytetit dhe shumë projekte të tjera, për të cilat ka theksuar se këto projekte nuk u realizuan "me duar në xhepa", siç e kritikonin kundërshtarët e tij, por ishin rezultat i punës dhe vizionit të qeverisë së tij.
"Në mandatin që kisha dhënë këtë deklaratë në Prishtinë kishim ndërtuar mbi 25 shkolla në qytet dhe fshatra, mbi 30 terrene sportive e shumë qendra mjekësore, kishim filluar me të madhe gjelbërimin e qytetit, punohej në përfundimin e Fabrikës së ujit në Shkabaj, në investimet në kogjenerim për ngrohje të qytetit nga TC Kosova B, punohej në ndërtimin e Sheshit Ibrahim Rugova dhe atij Zahir Pajaziti, përfundohej rruga B, që është shndërruar tani në qendër alternative të Prishtinës, përfundoheshin kolektorët dhe ndërtimi i rrugëve mbi ta në Lakrishtë dhe te banesat sociale, trajtohej unaza e jashtme e Prishtinës...." - ka shkruar Mustafa.
Sa i përket deklaratave të Kurtit, Mustafa tha se "nuk korrespondon me mënyrën se si erdhi në pushtet" dhe se ai "nuk po lodhet shumë as për ekonominë, investimet, shkollat, spitalet"
Në kritikën e tij ndaj kreut të ekzekutivit, Mustafa duket se i ka hedhur edhe disa "thumba" drejt liderëve të opozitës, duke thënë se Kurti "po i sjell në gisht analfabetët funksional dhe kopjuesit e tij politik me retorikë propaganduese milimetrike."
Pyetja që nuk po shtrohet sipas z.Mustafa është "çfarë po punon Albini e ku po i mban duart". Ai më tej tha se Kurti tashmë e ka kuptuar mendësinë e opinionit publik dhe si rrjedhojë, sipas tij, para se të zëvendësohet kryeministri Kurti, duhet të ndryshojë opinioni.
"Askush nga ta nuk shtron pyetjen se çfarë po punon Albini e ku po i mban duart, por çfarë thotë Albini, i cili e ka kuptuar mirë logjikën e opinionit. Prandaj para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni." - ka shkruar ai.