Daçiq "sqarohet" për deklaratën rreth Marrëveshjes së Brukselit: "Ndërkombëtarët na mashtruan në zbatim, jo nënshkrim"
Një deklaratë e Ivica Daçiqit, Ministër i Brendshëm i Serbisë, se bashkësia ndërkombëtare “mashtroi Serbinë me Marrëveshjen e Brukselit” ka shkaktuar një valë të madhe reagimesh në Serbi – për çka doli të “sqarohet” se çfarë ka nënkuptuar.
"Prandaj, kur them sot se u mashtruam, nuk dua të them se nuk dinim çfarë po nënshkruanim. Dua të them se na mashtruan në zbatimin e marrëveshjes. Na mashtruan sepse ajo që paraqitën si një marrëveshje serioze ndërkombëtare, me detyrime të barabarta për të dyja palët dhe mekanizma kontrolli, nuk u zbatua në praktikë. Na mashtruan jo sepse nuk e kuptuam tekstin e marrëveshjes, por sepse nuk mund të supozonim as shkallën e pasivitetit, selektivitetit dhe oportunizmit politik që do të shënojë zbatimin e saj”.
"Kjo nuk është çështje prestigji, kotësie apo pikësh politike. Kjo është çështje besimi. Dhe besimi në garancitë ndërkombëtare nuk ndërtohet me deklarata, por me qëndrueshmëri. Nëse Bashkimi Evropian dëshiron ende të jetë ndërmjetës, ai duhet të jetë një garantues neutral dhe serioz. Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të jenë partnere, duhet të ndalojnë së përdoruri standarde të dyfishta”, ka thënë Daçiq, siç e cituan mediat serbe.
Kujtojmë se Serbia nuk e ka zbatuar vetë Marrëveshjen e Brukselit (2013) për normalizim të marëdhënieve me Kosovën, nga pikat më të rëndësishme prej të cilave ishte mospengimi i Kosvës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe BE – si dhe shuarjen e strukturave paralele në Kosovë.