Daçiq: Këto ditë do merren vendime për luftë apo paqe në Kosovë
“Të gjitha subjektet politike në Serbi duhet të jenë të bashkuara në mbështetjen e tyre për presidentin Vuçiq këto ditë, kur praktikisht po merren vendime për luftë apo paqe në Kosovë”, kështu po deklaron ish-kreu i Kuvendit të Serbisë Ivica Daçiq.
Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë ka thënë për Tanjug se në Bruksel këto ditë do të merren vendime për luftë apo paqe në Kosovë.
“Jam i sigurt se Aleksandar Vuçiq në mënyrën më të mirë të mundshme do ta ruajë paqen dhe do t’i mbrojë interesat tona shtetërore dhe kombëtare në takimet e ardhshme në Bruksel. Njëkohësisht u bëj thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që të tregojnë qartë se Prishtina nuk respekton asnjë marrëveshje nga Brukseli, përfshirë edhe Marrëveshjen e Brukselit në përgjithësi, duke refuzuar formimin e Asociacioneve të Komunave Serbe dhe me vendimet e njëanshme po rrezikon paqen”, ka thënë Daçiq.
Vuçiq takohet të mërkurën (sot) në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Të enjten do të jetë takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në kuadër të dialogut të ndihmuar nga Bashkimi Evropian.