Çudi në një qytet të Kosovës, ShBA-ja “kualifikohet” direkt në EURO 2024
Ju ka ndodhur shpesh që flamurin amerikan ta shihni nëpër institucione e hapësira publike anembanë Kosovës, si shenjë respekti për kontributin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin dhe pavarësinë e vendit tonë. Megjithatë, dikush në Kosovë duket se e çmon aq shumë këtë flamur, saqë e ka vendosur edhe aty ku nuk e ka vendin.
Në amfiteatrin në mjedis të hapur në Fushë-Kosovë, që ndodhet afër stacionit të trenit, dikush e ka organizuar përcjelljen e ndeshjeve të kampionatit evropian të futbollit, EURO 2024, raporton Gazeta “Nacionale”.
Hapësira e shtruar me kubëza betoni është mbuluar me rërë dhe janë vendosur ulëse e tavolina, ndërsa në pjesën ballore është vënë një pëlhurë e bardhë, e cila gjatë zhvillimit të ndeshjeve shërben si hapësirë ekrani me reflektor.
Anash shihen edhe flamuj të disa prej shteteve që po marrin pjesë në kampionatin evropian të futbollit, si ai i Turqisë, Belgjikës, Francës, Anglisë, Zvicrës, Suedisë, Gjermanisë, Hungarisë dhe Kroacisë.
Megjithatë, “delja e zezë” në vargun e flamujve është ai i ShBA-së, që ndodhet i pari në varg, nëse nisemi nga e majta.
Shtetet e Bashkuara shtrihen në kontinentin e Amerikës Veriore dhe nuk janë as organizatore, as pjesëmarrëse në kampionatin evropian të futbollit.
Sidoqoftë, dikush duket se ka vendosur ta nderojë ShBA-në edhe në këtë organizim, edhe pse Uashingtoni nuk ka lidhje me europianin e futbollit.