Çollaku në 3-vjetorin e dërgimit të Thaçit dhe të tjerëve në Hagë: Asnjë provë apo dëshmitar që provon akuzat
Bekim Çollaku, ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në 3-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ka folur për procesin e gjykimit të tyre.
Ai për Euronews Albania ka thënë se nuk ka asnjë provë dhe asnjë dëshmitar që vërteton akuzat që janë ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Bazuar në ato që kam parë në seancat e hapura publike, një gjë është e sigurt; asnjë nga ata që kanë dëshmuar deri sot nuk i kanë shërbyer provave të cilat duhet të dëshmonin akuzat e prokurorisë. E njëjta gjë është edhe për dëshmitarët e seancave të mbyllura, asnjë nga ata nuk i përfshin Thaçin dhe të tjerët në krimet e aluduara.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka pasur edhe kritika për punën e Gjykatës Speciale, për shkak të seancave të mbyllura.
“Por publiku nuk ka transparencë për këtë proces se seancat po mbahen të mbyllura.” – ka thënë ai.
