CNN: Irani do t’u japë përparësi në kalimin e Ngushticës anijeve që paguajnë
Irani do t’u japë përparësi anijeve që paguajnë për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, i tha të shtunën CNN-it një zyrtar i lartë iranian.
“Duke pasur parasysh kufizimin e numrit të anijeve që do të lejohen të kalojnë, Irani ka vendosur t’u japë përparësi atyre anijeve që u përgjigjen më shpejt protokolleve të reja për Ngushticën e Hormuzit dhe që paguajnë kostot e shërbimeve të sigurisë dhe të mbrojtjes,” citohet të ketë deklaruar zyrtari.
Sipas zyrtarit, kalimi i anijeve që nuk paguajnë tarifat do të “shtyhet”.
Të shtunën, Irani rivendosi kufizime për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke përmendur “shkelje të përsëritura të besimit” nga ana e Shteteve të Bashkuara në armëpushimin mes dy palëve.
Zyrtari i lartë e përshkroi këtë masë të përparësisë si pjesë të përpjekjeve të Iranit për të menaxhuar trafikun detar “në përputhje me rendin e ri që rregullon këtë ngushticë”.