“Çmenduri dhe paturpësi”: Rama godet Prokurorinë e Hagës pas kërkesë për 180 vite burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve dhe kërkesës së Prokurorisë në Gjykatën Speciale të Hagës, e cila ka kërkuar nga 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në podcastin “Flasim”, Rama e cilësoi kërkesën si të pajustifikuar dhe pa bazë provash. “Prokuroria e Hagës kërkoi 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe për secilin prej tre udhëheqësve të tjerë të UÇK-së. Më duhet kohë të kuptoj se si mund të përballet një çmenduri e tillë, një paturpësi e tillë, me fjalë”, deklaroi ai.
Sipas tij, “nuk ka asnjë ligj ndërkombëtar që lejon dënime mbi pretendime të tilla dhe pa asnjë provë të qartë se ekziston një plan dhe një forcë e organizuar për të sulmuar civilët si të tillë”. Rama shtoi se pas “gjashtë viteve hetime”, prokuroria “dështoi të sillte qoftë edhe një provë të vetme” për të mbështetur kërkesën, duke e cilësuar procesin “një turp për shtetet që e mbështesin dhe e paguajnë atë gjykatë”.