Çitaku: Të hënën Kurti e nënshkruan Asociacionin e armëpushimin, jo marrëveshjen finale
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka komentuar lidhur me takimin e të hënës ndërmjet kryeministrit Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Çitaku është shprehur e bindur se të hënën do të nënshkruhet plani franko-gjerman, ku Kurti do ta nënshkruajë një armëpushim, e jo marrëveshjen finale.
“Plani franko - gjerman nuk ka pikur nga qielli. Ai është produkt i negocimit të Kryeministrit tash e dy vite. Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë - Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se Kurti do ta nënshkruajë Asociacionin dhe zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse status politik.
“Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë. Të hënën Kryeministrk Kurti do të nënshkruaj asociacionin, apo Zajednicën siç e quante dikur. Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik. Kaq për gjenialitetin e Kryenegociatorit Kurti”, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së.
Nga BE-ja kanë bërë të ditur se temë kryesore e takimit është plani franko-gjerman.