Çitaku pasi Kurti u flet diasporës për Rusinë e gjermanin që ik në Kosovë: Bëj diçka për kolonat
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me pritjet e gjata të mërgimtarëve në pikat kufitare gjatë ardhjes së tyre në Kosovë.
Në një reagim publik, Çitaku ka thënë se mërgimtarët po presin me orë të tëra në kufijtë e vendeve përreth, të lodhur pas udhëtimeve të gjata, për t'u kthyer në vendlindje.
Sipas saj, në vend që të kontaktonte menjëherë autoritetet në Zagreb dhe Podgoricë, të koordinonte veprimet me institucionet përkatëse dhe të angazhonte Ministrinë e Punëve të Jashtme për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, Kurti ka zgjedhur të merret me, siç është shprehur ajo, "përralla me gjermanë e rusë".
Çitaku ka theksuar se mërgata nuk ka nevojë për ligjërata ideologjike, por për institucione që reagojnë dhe veprojnë. Ajo e ka përmbyllur reagimin duke deklaruar se kryeministri në detyrë "ose po tallet keq me qytetarët e vet, ose vërtet jeton në një univers paralel, ku Kosova qenka ajo që mbron Gjermaninë".