Çfarë thanë Trumpi e Harrisi, kur i kishin mikrofonat të fikur?
Sipas rregullave të debatit të së martës mes kandidatëve për president të ShBA-së, Donald Trump e Kamala Harris, mikrofoni i njërit kandidat duhet të jetë i fikur, kur nuk e ka radhën për të folur.
Reporteri i televizionit CNN që ndodhej në sallën e debatit në Filadelfia arriti që të dëgjonte disa fjalë që rivalët i thanë gjatë kohës kur mikrofonat e tyre ishin të fikur.
Kur Trumpi pretendoi se demokratët duan që gratë të kenë qasje në abort në muajin e nëntë të shtatzënisë, Harrisi tha: “Kjo nuk është e vërtetë.”
Kur Trumpi tha se ai është udhëheqës i fertilizimit “in vitro”, Harrisi tha: “Ti s’ke qenë.”
Kur Trumpi e bëri pretendimin se imigrantët në Ohio po hanë kafshë shtëpiake, Harrisi me mikrofon ndalur tha: “Çfarë? Kjo është e pabesueshme.”
Kur Harrisi tha se Trumpi “nuk ka një plan për ju”, ish-presidenti me mikrofon të fikur u kundërpërgjigj: “Kjo është vetëm një frazë. Ata ia dhanë atë asaj për ta thënë.”