Çështja e gjuhës shqipe? Jep dorëheqje zv.kryeministri i RMV, Arben Fetai - NACIONALE

Çështja e gjuhës shqipe? Jep dorëheqje zv.kryeministri i RMV, Arben Fetai

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë në Maqedoninë e Veriut, Arben Fetai, ka dhënë dorëheqje nga ky post, ai këtë e ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook, shkruan Nacionale.

Fetai në shkrimin e tij në Facebook, ka thënë se ky vendim i tij është i mirëmenduar dhe se në rrethanat aktuale është gjëja më e mirë.

Ai tutje ka shtuar se nuk është i kënaqur me atë që është arritur në Qeverinë që ai ka shërbyer.

Duhet theksuar se së fundi në Maqedoninë e Veriut, ka pasur protesta nga studentët shqiptarë lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, ndërsa tanimë ato janë kthyer në një lëvizje gjithëkombëtare, pasi ka pasur protesta edhe në Tiranë në mbeshtetje të studentëve në Shkup.

Postimi i plotë:

Të dashur miq dhe bashkëqytetarë,

Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë.

Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues.

A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po.

Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze.

Falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar, më kanë mbështetur dhe kanë bashkëpunuar me mua gjatë këtij rrugëtimi. Mirënjohje e veçantë për ekipin tim, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët që më kanë dhënë forcë e motivim në çdo hap.

Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni. Përkundrazi, ai vazhdon kudo ku ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët.

Letrën e dorëheqjes mund ta lexoni më poshtë.

I juaji,

Arbeni

Lajme të ngjashme