Caktimi i zgjedhjeve qysh e kërkoi VV-ja, Osmani thotë se KQZ i tha se ishte “praktikisht i pamundur” 21 dhjetori
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pretendon se Komisioni Qendror Zgjedhor i kishte thënë se ishte “praktikishte e pamundur” të caktoheshin zgjedhjet më 21 dhjetor.
Osmani mohoi se i ka qëndruar linjës së kërkuar nga Vetëvendosje.
“Të gjitha partitë politike e dinë shumë mirë që për shkak afateve kushtetuese, para meje kanë qenë vetëm dy mundësi, data 21 dhjetor dhe data 28 dhjetor. Sa i përket datës 21 dhjetor, mua më është dërguar vlerësime me shkrim i trupave profesionale të KQZ-së , ku është vlerësuar, po citoj, që është praktikisht e pamundur, zgjedhjet të organizohen në mënyrë të rregullt për datën 21 dhjetor.
Unë e kam thënë edhe para juve si mediave, ne ende ishim në mes të një procesi të zgjedhjeve lokale sepse ende nuk ishin numëruar të gjitha votat, ende nuk ishin përfunduar të gjitha proceset, platformat e njëjta që janë shfrytëzuar për zgjedhje lokale, do të duheshin të shfrytëzoheshin edhe për zgjedhje nacionale e shumë e shumë procese të tjera të cilat e bënin të pamundur që të organizoheshin zgjedhjet brenda 30 ditësh. Prandaj, ka qenë kërkesë e qartë që t’u jepet pak më shumë kohë dhe e vetmja mundësi tjetër ka qenë data 28 dhjetor”, tha ajo.