Cakolli: S’ka kuptim që të ekzistojë afati prej 30 ditësh dhe të mos shkojmë në zgjedhje - NACIONALE

Cakolli: S’ka kuptim që të ekzistojë afati prej 30 ditësh dhe të mos shkojmë në zgjedhje

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka pasur kritika të ashpra për angazhimin e deputetëve në 51 seanca të mbajtura për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se gjatë gjithë këtij procesi ata kanë punuar gjithsej më pak se dy orë.

Sipas tij, kjo tregon mungesë serioziteti dhe përkushtimi.

Ai ka ngritur shqetësime për mënyrën se si Gjykata Kushtetuese do ta trajtojë afatin 30-ditor për formimin e institucioneve, duke thënë se ky afat nuk mund të shihet si këshillues, por si substancial, me pasoja të drejtpërdrejta për të gjithë Kuvendin.

Sipas Cakollit, tejkalimi i këtij afati duhet të rezultojë në shpërndarjen e mandatit dhe në shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Gjykata do të konstatojë një element jashtëzakonisht të rëndësishëm natyrën e afatit, që nënkupton se do të ketë pasoja kushtetuese për të gjithë deputetët. Sepse, nëse mandati do t’u merrej vetëm deputetëve të shumicës, atëherë logjikisht nënkuptohet se pas tre përpjekjeve prej nga 30 ditë, në këtë rast Vetëvendosje nuk do të kishte më deputetë në listë, pasi mandatet nuk mund të zëvendësohen. Unë besoj se Gjykata do të konstatojë se lejimi i konstituimit të Kuvendit pas afatit nënkupton që afati ka qenë vetëm këshillues, dhe jo substancial apo formal. Kjo do të binte ndesh me frymën e aktgjykimit të mëparshëm të Kushtetueses. Së dyti, unë besoj se Gjykata Kushtetuese do të konstatojë që kur institucionet, të cilat janë pjesë e sistemit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, nuk i përmbushin detyrimet e tyre për themelim brenda afatit të përcaktuar, atëherë pasoja duhet të jetë shuarja e mandatit të atij institucioni në tërësi. Dhe nuk ka asnjë arsye që Kuvendi të jetë përjashtim. Presidenti, nëse nuk zgjidhet brenda 60 ditësh, shkojmë në zgjedhje. Qeveria, nëse nuk formohet brenda 60 ditësh, shkojmë në zgjedhje. Nuk ka asnjë kuptim të ekzistojë një afat prej 30 ditësh për Kuvendin dhe të mos shkojmë në zgjedhje. Besoj që Gjykata do të qëndrojë në funksion të frymës kushtetuese”ka thënë ai.

Lajme të ngjashme