Cakolli pas certifikimit të rezultateve: Ja çfarë pritet të ndodhë deri më 7 gusht
Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga 9 korriku fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Sipas një shpjegimi të publikuar nga Eugen Cakolli i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), afati 30-ditor për mbajtjen dhe përmbylljen e seancës konstituive të Kuvendit zgjat deri më 7 gusht 2026. Seanca duhet të thirret nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ndërsa nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet automatikisht në ditën e 30-të.
Para mbajtjes së seancës, duhet të organizohet një mbledhje përgatitore me përfaqësuesit e 15 subjekteve politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend. Kjo mbledhje shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe organizimin e ulëseve të deputetëve.
Seancën konstituive do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari, i asistuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Sipas procedurës, fillimisht votohet raporti për verifikimin e mandateve, më pas deputetët bëjnë betimin, zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe në fund pesë nënkryetarët. Kryetari propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje si grupi më i madh parlamentar dhe për zgjedhjen e tij nevojiten të paktën 61 vota.
Cakolli thekson se Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe të pesë nënkryetarët. Vetëm pas kësaj mund të nisin procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, procese që, sipas Kushtetutës, zhvillohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.