Cakolli: Nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme tani për tani
Euge Cakolli nga KDI ka vlerësuar se tani për tani nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit.
Ai ka bërë me dije se derisa të përfundojë procedura për formimin e Qeverisë, Kuvendi nuk ka bazë dhe rrethana për t’u mbledhur.
Në profilin e tij në “Facebook”, Cakolli ka shkruar se tani seancë e jashtëzakonshme nuk mund të thirret as për ligjin për buxhetin.
“Jo, nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme tani për tani! Pas dështimit të pardjeshëm të votimit për qeverinë, së pari duhet të zhvillohen konsultimet nga Presidentja me partitë dhe të vendoset se kujt dhe NËSE do të jepet mandatari i dytë. Derisa të përfundojë kjo procedurë dhe të ketë dekret për mandatarin, Kuvendi nuk ka bazë dhe rrethana për t’u mbledhur për çfarëdo votimi, përfshirë atë të qeverisë”, ka shkruar ai, duke shtuar se nënshkrimet që po mblidhen tani nga VV-ja nuk kanë ndonjë vlerë juridike.
“Nënshkrimet që po përmenden nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve. Ato mund të shërbejnë vetëm si provë gjatë bisedimeve me Presidenten, në kuadër të "kritereve mbizotëruese". Për më tepër, mes tjerash (por jo vetëm) për të dëshmuar shumicën nevojiten 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 sosh për thirrje të seancës. Ngjashëm, seanca e jashtëzakonshme nuk mund të thirret as për ligjin për buxhetin. Detyra e parë dhe e patejkalueshme e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë, jo miratimi i ligjeve. Mbi të gjitha, vetëm një Qeveri e kësaj legjislature mund të propozojë projektligj për buxhetin”, ka shkruar ai.