Bunjaku-Rexhepi: Kurti bën hajgare me vendin e vet, pa të Kosova do ecë përpara
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka reaguar për mos-pjesëmarrjen e Kurtit në takimin joformal me kryeministrat e tjerë në Tiranë, të organizuar nga kryeministri Edi Rama.
Bunjaku-Rexhepi këtë veprim të Kurtit e ka quajtur ‘’skandal i rradhës’’, duke e cilësuar pjesëmarrjen e Kurtit në konferencë në Greqi, si ‘’aspak të rëndësishëm për vendin’’.
‘’Skandali radhës. Kryeministri Kosovës i ftuar në takimin joformal të liderëve ballkanikë dhe zyrtarëve evropianë në Tiranë, që qëllim ka kërkesat e ndryshme e projekte për vendet ballkanike dhe aq të rëndësishme për vendin tonë, e anuloi pjesëmarrjen dhe u arsyetua se ka caktuar udhëtim në Kretë të Greqisë në një simpozium filozofik aspak të rëndësishëm për vendin’’- ka shkruar Bunjaku-Rexhepi në rrjetin social ‘’Facebook’’.
Ajo thotë se Kurti e injoroi dhe anashkaloi përfaqësimin dinjitoz të Kosovës, për teke dhe ego të tij personale.
Bunjaku-Rexhepi shprehet se sipas saj Kurti nuk i ka sjellë asgjë të mirë vendit tonë dhe thotë se ai ‘’bën hajgare me popullin e vet’’.
‘’I zgjedhur nga populli për të mbrojtur interesat e vendit, ky kryeministër jo që nuk i ka sjellë asgjë të mirë vendit tonë, por i ka sjellur vetëm dëme, sanksione, izolim dhe jetë të rënduar qytetarëve. Po i njëjti luan me popullin e tij, bën hajgare me vendin e vet. Nga bashkimi kombëtar me Shqipërinë si kauzë, na ktheu në raporte kurrë më të këqija në histori, me aleatët perëndimorë’’- shkruan ajo.
Bunjaku-Rexhepi ndër të tjera shton se siç Kurti po e kthen Kosovën mbrapa, duhet të kthehet vetë në opozitë e t’ia fillojë nga e para, sepse, siç thotë ajo, pa të Kosova do të ecë përpara.
‘’Me arrogancë, ego e inate, nënçmim e përbuzje ndaj vendit amë, aleatëve evropianë e SHBA-të, po e kthen Kosovën mbrapa, shumë mbrapa. Ky meriton të kthehet vetë mbrapa, aty ku ka qenë në opozitë dhe t’ia fillojë nga e para, sepse pa të, Kosova do ecë përpara. Është koha që populli i Kosovës të zgjohet dhe ta shohë që kauzat e tij kanë qenë mashtrime për pushtet, ndërsa këtë shtet e këtë popull e ka injoruar e nënshtruar, duke shkelur mbi interesa madhore me të dy këmbët!’’- është shprehur tutje ajo.
Postimi i plotë: